Kjo specie është e përhapur në pjesën më të madhe të Evropës, me përjashtim të pjesëve veriore dhe qendrore. Breshkujca zakonisht mund të takohet në ujëra të qëndrueshme ose me rrjedh të dobët, të mbingarkuara me bimë akuatike (ujore) dhe vegjetacion të dendur ujor, siç janë pellgjet, liqenet, lumenjtë, kanalet, kënetat, moçalet dhe endekët. Periudha e çiftëzimit është në pranverë, ndërsa vezët i gropon në bregun e vendbanimit ujor. Inkubacioni i vezëve zgjat prej 65 deri në 100 ditë, varësisht prej temperaturës. Pjekuria seksuale tek meshkujt është ndërmjet 6 deri 12 vjet, ndërsa tek femrat ndërmjet 14 deri 18 vjet. Breshkujca kryesisht hibernon në ujë, më rrallë në tokë. Në PKG, kjo specie është e kufizuar në pjesët kënetore përgjatë bregut të të dy liqeneve. Në kuadër të hulumtimeve tona në terren, prezenca e breshkujcës është e regjistruar në burimet Shën Naumi dhe Stenjsko bllato.
Nga dokumentet Evropiane, kjo specie është e mbrojtur në përputhje me: Direktivën për habitate 92/43/EEC Aneksi II: Specie shtazore dhe bimore që janë me rëndësi për Unionin dhe mbrojtja e të cilëve kërkon përcaktimin e zonave të veçanta për mbrojtje, Aneksi IV: Specie shtazore dhe bimore që janë me rëndësi për Unionin dhe janë nën mbrojtje të rreptë, Konventën për mbrojtjen e jetës së egër evropiane dhe habitatet natyrore (BERN) – Shtojcën II: Specie të faunës rreptësisht të mbrojtura.